• Today is: Tuesday, May 21, 2024

Haziri: Po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj

fakti
June02/ 2020

“Po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri. Sipas tij Avdullah Hoti në dialog do të sfidohet me Hashim Thaçin, jo me Grenellin

 

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka komentuar sot zhvillimet politike dhe angazhimet e tij në politikën qendrore, duke thënë se ka faza kur është angazhuar më shumë ose më pak.

“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info.

Ai ka thënë se nuk e ka problem t’i shpreh haptas qëndrimet e tij.

“Kjo është bindja ime dhe ky është guximi im politik që ta them para secilit nivel, para secilit qytetar dhe para secilit lider, sepse besimin tim politik nuk mund të ma ndalojë askush. Unë jam lojal në vendime, respektoj vendimet e shumicës, angazhohem për aq sa më kërkojnë me u angazhu, por kjo është bindja ime dhe natyrisht nuk ka  nevojë Gjilani me pas raporte armiqësore me kryeministra dhe as me ministra, sepse ne jemi të varur nga vendimet e tyre”, ka deklaruar Haziri për Mediafokus.

Fjalë të mira për ministrat dhe për Vjosa Osmanin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për sfidat që do të ketë qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Sipas tij, Hoti do të ketë probleme në dialog me presidentin Hashim Thaçi, raporton Gazeta Express.

Haziri e ka vlerësuar punën e ministrave dhe të kryeparlamentares Vjosa Osmani në qeverinë Kurti.

“Për kolegët e mi është vlerësuar që kanë treguar bashkëpunim të jashtëzakonshëm edhe kryetarja e Kuvendit”, ka thënë ai.

Haziri ka deklaruar se nuk do të rikandidojë për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme komunale.

“Unë do të vazhdoj që të qëndroj kryetar i Gjilanit deri në fund të mandatit ligjor, nuk kam plane për rikandidim, kam plane që nga sot të tërhiqem butë nga roli im aktiv në politik”, ka thënë ai.

Avdullah Hoti në dialog do të sfidohet me Hashim Thaçin, jo me Grenellin

 

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike ka folur edhe për qeverinë e re që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Sipas tij, sfida më e madhe që do të ketë Hoti në politikën e brendshme është pandemia, derisa, në politikën e jashtme, sipas Hazirit, kryeministri nga radhët e LDK-së, do të ketë sfidën më të madhe me presidentin Hashim Thaçi.

“Me thanë të drejtën, nuk do të doja me pa askënd në lëkurën e Avdullah Hotit, do të jetë kryeministër i radhës, duke besuar në kapacitetet e tij profesionale sidomos në ekonomi, besoj shumë që përballja e efekteve të pandemisë në ekonomi janë sfida më e randë, ndërsa, sfidën në dialog nuk e ka me Grenellin po me presidentin Thaçi. Ky moskomunikim që ka qenë mes kryeministrit aktual edhe presidentit, kjo gjuajtje politike, pingpong politik, sidomos në pandemi për dallimet në dialog që kanë gjeneru edhe tema tjera, tregon që formati i dialogut është problem, më shumë kush e udhëheq se sa rezultati final, pak a shumë po e dimë që Kosova, sovraniteti i saj, territori i saj është i panegociueshëm, Kosova nuk humb, po arrin me e kapërcu rubikonin politik, me marrë ulëse në OKB, për perspektivë evropiane. Mendoj që z. Hoti duhet ta marrë parasysh që s’e ka lehtë”, ka thënë Haziri në një paraqitje para mediave/ Gazeta FAKTI